Etja për mëshirë

Etja për mëshirë

Përmbledhje

Si duket mëshira e Zotit? A thotë Ai thjesht: “Të fal” apo siguron një zëvendësues për të pastruar biografinë tonë të turpshme? Kjo broshurë tregon një histori të përshtatur, e cila shpjegon kuptimin e sakrificës zëvendësuese dhe nevojën tonë për atë. Lexuesit do të gjejnë shpresë, duke ditur se mëkati i tyre mund të falet dhe turpi i tyre mund të hiqet.

Tipi

Broshurë

Botuesi

Sharing Hope Publication

E disponueshme në

21 Gjuhët

Faqet

6

Shkarko

Fatimja ishte krejt e vetme për Eid al-Adha, dhe vetmia ishte tepër e rëndë për të. Ishte faji i saj që ishte e vetmuar, apo jo?

Fatimes iu kujtua se si kishte debatuar ashpër me babanë për martesën e saj me Ahmetin. Ajo ishte e re dhe e dashuruar. Si mund t’i thoshte jo babai i saj? Kur u largua nga shtëpia për t’u martuar me Ahmetin, babai i saj i kishte thënë që të mos kthehej më.

Ajo mendoi se do të mund ta përtypte turpin për hir të dashurisë së saj për Ahmetin. Por shpejt, do t’i duhej të pranonte se babai i saj kishte patur të drejtë. Ahmeti nuk ishte ai burri, me të cilin ajo mendoi se kishte rënë në dashuri. Ai e la atë për një grua tjetër.

Fatimes i vinte turp nga vetja. Ajo besonte se mori atë që meritonte dhe po shlyente hakat. Ajo e kuptoi mirë drejtësinë. Por, sa shumë etje kishte në zemër për mëshirë!

Më i Mëshirshmi dhe më i Hirshmi

Nëse jemi të sinqertë, të gjithë kemi gabuar dhe kemi shpërfillur mençurinë. Kemi ofenduar të tjerët. Të tjerët na kanë ofenduar ne. Komunitetet tona përbëhen nga njerëz që bëjnë gabime. Dhe sa e vështirë është të falim njëri-tjetrin dhe veten!

A ka mëshirë për gabimet tona?

Mendoni se sa herë keni përsëritur thënien: “Bismilah Ir-Rahman Ir-Rahim” — “në emër të Zotit, Më i Mëshirshmi, Më i Hirshmi.” Po çfarë ka të veçantë mëshira?

Ndoshta sepse komunitetet tona—dhe vetë zemra jonë—kanë shumë nevojë për mëshirë.

Mëshira: rruga më e mirë

Disa vite më parë, një burrë i quajtur Abdul-Rahman u grind me komshiun, Karimin, dhe e vrau. Jeta u vështirësua për të dyja familjet në këtë fshat të vogël në Egjipt. Familja e Karimit kërkonte hakmarrje, ndërsa familja e Abdul-Rahmanit përpiqej e frikësuar që ta mbronte. Abdul-Rahmani nuk donte që cikli i hakmarrjes të vazhdonte më tej. Kërkoi një këshill me drejtuesit e fshatit, dhe ata i rekomanduan ritualin e qefinit të vdekjes.

Abdul-Rahmani solli qefinin e tij të bardhë të varrimit dhe vendosi sipër një thikë. Eci drejt familjes së Karimit tek pazari, teksa i gjithë fshati po shikonte. Abdul-Rahmani u gjunjëzua para Habibit, vëllait të viktimës, dhe i ofroi qefinin dhe thikën. Ai kërkoi mëshirë dhe pajtim.

Habibi i vuri thikën në fyt. Të parët e fshatit sollën një qengj, dhe Habibi duhet të vendoste: mëshirë apo hakmarrje? Teksa mbante thikën në fytin e Abdul-Rahmanit, me veprimet e tij tha: “Tani të kam në dorë. Të gjithë sytë po e shohin këtë; të gjithë e dinë se kam të drejtë të të vras ty dhe mund ta bëj. Por zgjedh mëshirën dhe pajtimin. Do t’i jap fund gjakmarrjes”.

E la Abdul-Rahmanin dhe në vend të tij theri qengjin. Kur shpërthimi i inatit, dhimbjes, dhe drejtësisë u shfry tek qengji, Habibi përqafoi Abdul-Rahmanin. Paqja mes dy familjeve u rivendos.

Nëse njerëzit mund të gjejnë mënyra për të kombinuar drejtësinë me mëshirën, sigurisht dhe Zoti mund të bëjë të njëjtën gjë!

Jezusi Mesia: Mëshira nga Zoti

Ku mund të mësojmë rreth mëshirës së Zotit? Është shumë e lehtë. Ndoshta keni dëgjuar se Jezusi Mesia (gjithashtu i njohur si Isa al-Mesih) quhet “Mëshira” nga Zoti. Kjo do të thotë se ai mishëron plotësisht mëshirën. Rruga e Tij—mësimet e tij në Ungjill, që gjithashtu njihet si Inxhil—kjo është rruga drejt faljes dhe pajtimit.

Jezusi Mesia mund ta përmbushë këtë rol të mrekullueshëm sepse është i vetmi i dërguar nga Zoti që ishte plotësisht pa asnjë mëkat. Çdo profet dhe lajmëtar i shenjtë ka pasur nevojë për faljen e gabimeve të tij, por jo Jezusi Mesia. Ai u mor direkt në Qiell, në vend që të priste Ditën e Gjykimit, sepse ai kurrë nuk bëri asnjë mëkat—as edhe ndonjë të vogël.

Prandaj ai quhet Mëshira nga Zoti. Ai na ka dhënë një shembull të pastër të mëshirës dhe na mësoi se si të pranojmë mëshirën e Zotit.

Si mund të më ndihmojë Jezusi Mesia?

Është shkruar se Gjon Pagëzori (gjithashtu i njohur si Jahja) e pa Jezusin Mesian në një turmë, dhe nën frymëzimin e Zotit, thirri: “Ja, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!” (Ungjijtë, Gjoni 1:29). Jezusi Mesia është si qengji, që mundësoi pajtimin e Abdul-Rahmanit.

Nëse ndëshkohemi për fajet tona, kjo është drejtësi. Por Jezusi Mesia, i cili ishte pa asnjë mëkat, ofroi veten e tij, për të marrë përgjegjësinë e mëkateve tona. Askush nuk e detyroi. Me vullnet të lirë ai pranoi të vdiste, në mënyrë që të shlyente drejtësinë për ne. Ai ishte i vetmi person plotësisht i pafajshëm, që ka jetuar ndonjëherë dhe, megjithatë, lejoi që të trajtohej si qengji në historinë e Abdul-Rahmanit. Prandaj, pasi vuajti për ne, Zoti e ngriti në qiell.

Ndoshta keni konflikte në jetën tuaj. Ndoshta si rasti i Fatimes, jeni hedhur poshtë nga të afërmit tuaj. Ndoshta jeni lënduar nga dikush, ose reputacioni juaj është dëmtuar me të padrejtë. Ndoshta jeni si Abdul-Rahmani, fajtorë dhe të frikësuar nga hakmarrja.

Jezusi Mesia mund t’ju ndihmojë. Ju thjesht mund të bëni një lutje të shkurtër si kjo:

O Zot, unë nuk mund t’i shlyej dot kurrë mëkatet e mia. Por e di se Ti ke dërguar Jezusin Mesian si Mëshirën Tënde për ne. Të lutem më fal për shkak të veprës së mirë, që ai bëri për të gjithë njerëzimin. Më ndihmo të kuptoj rrugën e Jezusit Mesi në mënyrë që të përjetoj mëshirën Tënde në jetën time. Amin!

Nëse doni të merrni kopjen tuaj të Ungjijve, ju lutemi na kontaktoni sipas informacionit mbrapa kësaj faqeje.

Copyright © 2023 by Sharing Hope Publications. Vepra mund të printohet dhe të shpërndahet pa lejë për raste jo-komerciale.
Shkrimet janë cituar nga: “Shoqëria Biblike Shqiptare” ®. Copyright © 1994 nga Shoqëria Biblike Shqiptare. Përdorur me autorizim. Me të gjitha të drejtat e rezervuara.

Regjistrohuni për buletinin tonë

Jini i pari për të mësuar kur postohen publikimet e reja!

newsletter-cover